Sot në objektin e shkollës profesionale në Mejdan të Shajnes u organizua Edicioni i tretë i Panairit të Produkteve Lokale Vendore “EXPO SHARRI”, ku morën pjesë dhjetëra biznese lokale të cilat promovuan produktet e tyre autoktone.
Panairi “EXPO SHARRI” u organizua nga Shoqata e Afaristëve “Sharri”, me mbështetje financiare të Komunës së Dragashit. Në hapjen e panairit morën pjesë përfaqësues të qeverisjes nga niveli qendror dhe lokal.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, falënderoi organizatorët për këtë ngjarje të rëndësishme ekonomike që pasqyron vlerat tona unike, bukuritë natyrore, kulturën tonë të gatimit të ushqimeve të freskëta dhe tradicionale, si dhe produktet e prodhuara me dashuri nga fermerët dhe prodhuesit vendës. Ai tha se blerja dhe konsumimi i prodhimeve vendore është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik lokal, duke shtuar se përkrahja e bizneseve të vogla dhe fermerëve është gjithashtu e rëndësishme për të rritur fuqinë e ekonomisë sonë dhe për të krijuar vende të reja pune për të gjithë.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe mysafirët nga niveli qendror, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe deputetja Duda Balje.
Panairin “EXPO SHARRI” gjatë ditës së sotme e vizitoi edhe presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani, e cila u prit nga Kryetari Xheladini me një pjesë të Kabinetit dhe anëtarët e Shoqatës së Afaristëve “Sharri”.