Sot në sallën e Asamblesë Komunale në Dragash u mbajt Takimi i dytë Publik me qytetarë për vitin 2023. Të pranishëm në këtë takim ishin qytetarë nga të gjitha komunitetet, përfaqësues të OJQ – ve, OSBE – së, mediave dhe asambleistë nga Kuvendi Komunal në Dragash. Nga ekzekutivi lokal morën pjesë kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me krerët e drejtorive, nënkryetarin për Komunitete, shefin e Zyrës për Komunitete dhe pjesëtarë të tjerë të Kabinetit.
Në këtë takim qytetarët u njoftuan me punën e qeverisjes lokale dhe realizimin e investimeve kapitale të planifikuara për këtë vit. Kryetari Xheladini prezantoi në mënyrë të detajuar projektet e realizuara nëpër secilin fshat dhe në qytezën e Dragashit, duke përfshirë Buxhetin e përgjithshëm të Komunës së Dragashit për vitin 2023, shpenzimet për investime kapitale dhe subvencionet komunale për entitetet jopublike dhe ato publike.
Gjithashtu, Kryetari Xheladini në këtë takim shfrytëzoi rastin që të shprehë falënderimin e tij ndaj organeve qendrore, gjegjësisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe zv/ministrit Hysen Durmishi, për projektet e realizuara me bashkëfinancim në Komunën e Dragashit, siç janë:
Asfaltimi i rrugës Bresanë – Bjeshkë (Investim i MI-së);
Asfaltimi i rrugës Kapre – Rrenc (Bashkëfinancim);
Asfaltimi i rrugës për Strazimir (Bashkëfinancim);
Asfaltimi i rrugës Xërxe – Pllajnik (Bashkëfinancim);
Këtë vit është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për asfaltimin e Stacionit të Autobusëve në Dragash, mirëpo për shkak të kushteve atmosferike ky investim do të realizohet vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, nga Qeveria janë ndarë mjete rreth 2.5 milionë euro për asfaltimin e rrugës Kërstec – Pakishtë (me Republikën e Shqipërisë).
Mirënjohje dhe falënderim Kryetari Xheladini shprehu edhe për ministrin e Zhvillimit Rajonal, z.Fikrim Damka, i cili ka ndarë 60 mijë euro për asfaltimin e rrugës Dragash – Stadium i Qytetit.
Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë qytetarët e pranishëm në këtë takim, të cilët shprehën interesimin e tyre për t’u njoftuar lidhur me punën e qeverisjes lokale në Dragash.