Në sallën e Asamblesë Komunale sot u mbajt takim informues me zyrtarë dhe përfaqësues të sportit dhe klubeve lokale nga Komuna e Dragashit, lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore mbi organizimin e ngjarjeve sportive, si dhe rolin e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive. Ky këshill është një mekanizëm i krijuar nga Zyra e ministrit të MKRS-së, bazuar në Ligjin për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.
Në këtë takim morën pjesë anëtarë të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, të kryesuar nga kryetari i këtij Këshilli, njëherit edhe Prokurori i Shtetit, z.Besim Kelmendi.
Takimin e hapi kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, i cili i përshëndeti anëtarët e Këshillit dhe të gjithë të pranishmit, duke shtuar se ky takim informues do të shërbejë si një mundësi për të gjithë akterët që merren me fushën e sportit në Komunën tonë, për t’u njohur më tepër me infrastrukturën ligjore të sportit, në mënyrë që t’i zbatojnë praktikat më të mira gjatë punës dhe aktiviteteve të tyre në këtë fushë.
Në anën tjetër, Kryeprokurori Besim Kelmendi informoi të pranishmit lidhur rolin e Këshillit, si dhe me detyrimet ligjore që kanë udhëheqësit, zyrtarët e Komitetit Olimpik, anëtarët e federatave, klubeve sportive dhe organizatorët e ngjarjeve sportive për ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive. Ai gjithashtu u përgjigj edhe në pyetjet e parashtruara nga të pranishmit, duke dhënë sqarimet e nevojshme lidhur me përmbajtjen e këtyre dispozitave ligjore.
Pas këtij takimi, Kryetari Xheladini e priti në zyrën e tij Prokurorin e Shtetit, z.Besim Kelmendi, të shoqëruar nga anëtarët e tjerë të Këshillit. Me këtë rast, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin i dhuroi një dekoratë simbolike me stemën e Komunës së Dragashit.