Nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, u mbajt Mbledhja III (e tretë) e rregullt për vitin 2024 e Qeverisë Komunale, ku u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi i rekomandimit të Avokatit të Popullit për themelimin e Organit të Kujdestarisë në kuadër të QPS-së;
2. Shqyrtimi i Kërkesës së z.Fehim Sali për ndërtimin e një hidrocentrali;
3. Diskutim lidhur me hartimin e raportit për zbatimin e Planit Komunal të Integritetit;
4. Shqyrtimi i Thirrjes publike të MMPHI-së për Përcaktimin e Lokacionit për Ndërtimin e Ndërtesës së Banimit të Përballueshëm;
5. Shqyrtimi i Peticionit të qytetarëve të fshatit Orqushë kundër hapjes së rrugës Orqushë – Orgjost; dhe
6. Të ndryshme.
Në këtë mbledhje u morën këto vendime:
– U autorizua Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale që, në bashkëpunim me QPS-në të fillojnë procedurat për themelimin e Organit të Kujdestarisë, duke u bazuar në ligjet në fuqi, si dhe në rekomandimet e dhëna nga Avokati i Popullit;
– U obligua Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Ambientit që, në bashkëpunim me Zyrën për Komunitete dhe Kthim dhe Zyrën Ligjore, brenda afateve të caktuara ligjore t’i përgjigjen zyrtarisht Kërkesës së parashtruar nga z.Fehim Sali lidhur me ndërtimin e hidrocentralit;
– U obliguan të gjitha drejtoritë përkatëse dhe zyrat relevante për raportim të zbatimit të Planit të Integritetit, që deri më datë 15.02.2024 t’ia dërgojnë raportet Koordinatorit të Planit të Integritetit, i cili brenda muajit shkurt duhet ta përgatitë raportin final dhe ta prezantojë në mbledhjen e Asamblesë Komunale;
– U autorizuan Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Ambientit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, që brenda afateve të caktuara ligjore të përgatitin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim në Thirrjen publike të MMPHI-së për Përcaktimin e Lokacionit për Ndërtimin e Ndërtesës së Banimit të Përballueshëm;
– U obligua Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Ambientit që t’u përgjigjet zyrtarisht qytetarëve të fshatit Orqushë në lidhje me Peticionin e nënshkruar për kundërshtimin e hapjes së rrugës Orqushë – Orgjost.
Në pikën evetuale, Kryetari Xheladini i njoftoi pjesëmarrësit për takimin që ka pasur me përfaqësues të MAPL-së dhe DEMOS-it për të diskutuar në lidhje Grantin e Performancës, si dhe për takimin që do ta ketë më datën 06.02.2024 në selinë e Ambasadës së Japonisë, ku do të nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e objektit për grumbullimin e mbeturinave në fshatin Restelicë.