Nën udhëheqjen e Kryetarit Xheladini, sot u mbajt mbledhja e radhës të Qeverisë Komunale, ku u diskutua për një sërë çështjesh me rëndësi për mbarëvajtjen e punës komunale dhe realizimin e prioriteteve tona.
Në këtë mbledhje u diskutuan njëmbëdhjetë pika të rendit të ditës, duke filluar nga raportimi i inxhinierëve komunalë mbi ecurinë e investimeve kapitale.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe hartimi i Planit Zhvillimor Komunal (PZHK), si dhe përmirësimi i funksionimit të administratës komunale.
Po ashtu, u trajtuan përgatitjet për sezonin dimëror, furnizimin e institucioneve komunale me lëndë djegëse për ngrohje dhe pajisje dimërore, si dhe masat për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë reshjeve të borës. Në rend të ditës ishin afatet për zotimin e mjeteve për investime kapitale dhe për mallra dhe shërbime, pastaj ndarja e bursave për studentët, siguria e të dhënave personale, disiplina në punë, informata për vizitën e delegacionit komunal në Komunën e Kocaelit, si dhe çështje të tjera me interes për qeverisjen lokale dhe çështje të përgjithshme të cilat u diskutuan në pikën eventuale.
Vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi dhe përkushtim, në koordinim me drejtoritë dhe institucionet përkatëse, për të siguruar funksionim sa më efikas të administratës komunale dhe shërbime sa më cilësore për qytetarët.