Në kuadër të aktiviteteve për Muajin Rozë – Muajin e Vetëdijesimit për Kancerin e Gjirit, nën organizimin e Grupit të Grave Asambleiste të Kuvendit Komunal në Dragash, sot u mbajt një ligjëratë vetëdijesuese nga doktoresha gjinekologe, znj.Sebahate Sylejmani Shala, lidhur me ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e diagnostifikimit të hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit.
Në këtë ligjëratë morën pjesë gra nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Komunën e Dragashit. Mysafire nderi ishte edhe drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, znj.Kadire Tahiraj, e cila i falënderoi organizatoret për këtë ligjëratë dhe Kryetarin Xheladini për angazhimin e tij në përmirësimin e pozitës së gruas në Komunën e Dragashit dhe mbështetjen e parezervë që ka ofruar për gratë anëtare të QPDG-së.
Kryetari Xheladini i përshëndeti të gjjitha pjesëmarrëset në këtë takim dhe inkurajoi organizatoret për aktivitete të tilla që kanë për qëllim ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit. Me nga një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtuan edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Uran Halimi, drejtoresha e DKRS-së, Liridona Misinaj, zyrtarja për Barazi Gjinore, Lindita Kozmaqi Piraj dhe asambleistet Arijeta Qafleshi Skeraj, Xhylferie Bahtijari, Ventaza Esati dhe Suada Bajrami.
Me këtë rast, znj.Arijeta Qafleshi Skeraj në emër të Grupit të Grave Asambleiste, së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, i ndan Mirënjohjen “Heroina e mbijetuar nga kanceri i gjirit” zonjës Xhejrane Lokaj, për kontributin shumëvjeçar për shëndetin e nënave në Komunën e Dragashit, si dhe frymëzimin e grave në betejën kundër kancerit të gjirit.