Në kuadër të procesit të dëgjimeve buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027, sot u mbajt dëgjimi buxhetor me drejtorë të shkollave, pedagogë, punëtorë arsimorë dhe punëtorë shëndetësorë. Takimin e hapi nënkryetari i Komunës së Dragashit, z.Resul Fetahu, i cili, në emër të Kryetarit Xheladini i përshëndeti dhe i falënderoi për pjesëmarrje të gjithë të pranishmit.
Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, z.Qamil Kolloni, prezantoi para pjesëmarrësve përmbajtjen e KAB-it 2025-2027, duke u fokusuar veçanërisht në Grantet Specifike të Arsimit dhe Shëndetësisë.
Në krahasim me vitin 2024, buxheti i paraparë për vitin 2025 pritet që të ketë një rritje prej 8% dhe shuma më e madhe e mjeteve buxhetore do të shkojë në kategorinë e investimeve kapitale, në realizimin e projekteve ekzistuese dy dhe trivjeçare, si dhe në projekte të reja të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme në Komunën tonë.