Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, z.Behar Brenoli dhe drejtorin e QKMF-së, z.Endrit Piraj, pritën sot në takim z.Nicu Fota – udhëheqës i Ekipit të Projektit Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor (AQH), i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe implementohet nga Swiss TPH.
Ky projekt synon stimulimin e shfrytëzimit të shërbimeve cilësore të kujdesit shëndetësor parësor, me vëmendje të posaçme ndaj nevojave të popullatës së cenueshme, siç janë pacientët me sëmundje kronike. Përmes partneritetit dhe bashkëpunimit me komunat dhe akterët relevantë të institucioneve shëndetësore lokale, implementuesit e këtij projekti kanë për qëllim të përmirësojnë performancën e menaxherëve dhe stafit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve shëndetësore që u përgjigjen nevojave të komuniteteve, si dhe vetëdijesimin e qytetarëve për të drejtën e tyre për të kërkuar shërbime cilësore në kujdesin shëndetësor.
Kryetari Xheladini fillimisht e falënderoi z.Nicu Fota për interesimin e treguar për t’i ofruar mbështetje shëndetësisë lokale, duke e njoftuar atë për arritjet që janë bërë në këtë fushë gjatë dy viteve të fundit. Ai tha se, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë dhe atë të QKMF-së, janë të gatshëm për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Njëherit, Kryetari Xheladini kërkoi që përkrahja nga ky projekt të mos jetë e fokusuar vetëm në aspektin e ofrimit të ndihmës menaxheriale, por kujdesi shëndetësor primar të ndihmohet edhe me pajisje të ndryshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, sidomos laboratorët e QKMF-së dhe QMF-ve, të cilët kanë mungesë të disa pajisjeve të nevojshme.