Nën kryesimin e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, sot u mbajt Mbledhja VI e Qeverisë Komunale për vitin 2024, ku diskutuan këti pika:
1. Përgatitja e propozimeve për Planin Menaxhues dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”;
2. Diskutim për rendin e ditës për seancën e pestë të Kuvendit të Komunës; dhe
3. Të ndryshme.
Lidhur me pikën e parë, në konsultim me ekspertin e planifikimit hapësinor, z.Hazer Dana, u bë përgatitja e hollësishme e kërkesave dhe propozimeve të cilat do të paraqiten nga ana e Komunës së Dragashit, në kuadër të procesit të hartimit të Planit Menaxhues dhe Planit Hapësinor të PK “Sharri”.
Në pikën e dytë të rendit të ditës u propozua që, pas kalimit të procedurave të konsultimit publik, të kalohen për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës: Draft-Statuti i QKMF-së në Dragash dhe Draft-Plani i Veprimit Kundër Braktisjes dhe Mosregjistrimit të Shkollës 2024-2026.
Në pikën eventuale u diskutua për mbarëvajtjen e procesit të Regjistrimit të Popullsisë, ku u ritheksua nevoja e angazhimit të përbashkët të institucioneve lokale për sensibilizimin e qytetarëve që të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm.