Sot u zhvillua ceremonia e përurimit të fushës së Stadiumit të qytezës dhe rrugës së asfaltuar Dragash – Stadium. Projekti i fushës së Stadiumit u realizua në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, ndërsa asfaltimi i rrugës Dragash -Stadium u realizua në bashkëpunim me LMT-në e KFOR-it Turk dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, presidenti i FFK-së, z.Agim Ademi, zëvendësministri i MZhR-së, z.Ali Tafarshiku, komandanti i LMT-së së KFOR-it Turk, Kapiten Gurkan Karaça, së bashku me zëvendëskomandantin e Këshillit të Lartë Turk në Kosovë, deputetja Duda Balje, përfaqësues të Policisë dhe OVL të UÇK-së në Dragash, nënkryetarët e Komunës, z.Resul Fetahu dhe z.Fejsal Halilović, drejtoresha e DKRS-së, znj.Liridona Misinaj, pjesëtarë të tjerë të Kabinetit, si dhe shumë qytetarë, futbolldashës e veteranë të sportit në Dragash.
Në fjalën e tij, Kryetari Xheladini shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë partnerët që ndihmuan në realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme, duke theksuar se së bashku do të përkushtohemi maksimalisht deri në transformimin e plotë të infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve sa më të favorshme për klubet lokale dhe të gjithë sportdashësit e Komunës së Dragashit.
Në shenjë nderimi për punën e tij si mbikëqyrës i punimeve gjatë realizimit të projekteve të Fushës së Stadiumit dhe asfaltimit të Rrugës Dragash – Stadium, u mbajt një minutë heshtje për inxhinierin komunal tashmë të ndjerë, Sabahat Hasani.



































