Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesin e Kuvendit, anëtarë të Kabinetit, organizatorët e këtij manifestimi dhe mysafirët nga Bashkia e Kukësit, sot morën pjesë në Motomitingun tradicional të organizuar nga Klubi i Motoristëve “Enduro Sharri”, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Dragashit.
Pas ceremonisë së hapjes, qytetarët dhe të pranishmit patën mundësinë që të ndjekin nga afër performancën mbresëlënëse të motoristëve nëpër qytezën tonë, të cilët më pas vazhduan përgjatë shtigjeve malore, duke shijuar njëkohësisht bukuritë e rralla natyrore në të dy anët e kufirit Kosovë–Shqipëri.
Ky aktivitet sportiv dhe turistik dëshmoi edhe një herë fuqinë e bashkëpunimit ndërkufitar, duke bashkuar sportdashës, vizitorë dhe institucione në promovimin e vlerave të përbashkëta, miqësisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm që ofrojnë trevat tona.
Kryetari Xheladini falënderoi Klubin e Motoristëve “Enduro Sharri” për organizimin e shkëlqyer, Bashkinë e Kukësit për bashkëpunimin dhe mbështetjen, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në suksesin e këtij manifestimi.