Komuna e Dragashit e përfaqësuar nga Kryetari Bexhet Xheladini dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e përfaqësuar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit për financimin e projektit infrastrukturor “Asfaltimi i rrugës Zlipotok-Baçkë-Brod” në vlerë prej 350 mijë euro.
Sigurimin e mjeteve financiare për këtë projekt do ta bëjë MMPHI. Nga këto mjete, ndarje buxhetore për vitin 2024 janë 50 mijë euro, ndërsa 300 mijë euro do të ndahen për dy vitet në vijim.
Në këtë takim u diskutua edhe për mbarëvajtjen e disa projekteve në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet MMPHI-së dhe Komunës së Dragashit, siç janë ndërtimi i urës në hyrje të fshatit Zaplluxhe, asfaltimi i Stacionit të Autobusëve, asfaltimi i rrugës Blaç-Bjeshkë dhe sigurimi i linjës së transportit në relacionin Dragash-Prizren për punëtorët komunalë të cilët jetojnë në Prizren.
Kryetari Xheladini ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar nga Ministria e Infrastrukturës.