Sot, në Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash u funksionalizua Kabineti i Informatikës për drejtimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), falë donacionit të RIT Kosovo.
Së bashku me shefen e Kabinetit, znj. Arijeta Skeraj, morëm pjesë në inaugurimin e këtij kabineti, i cili përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të kushteve për mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe për përgatitjen e nxënësve me njohuri dhe shkathtësi të nevojshme në fushën e teknologjisë së informacionit.
Shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona të sinqerta për RIT Kosovo për mbështetjen dhe kontributin e çmuar në realizimin e këtij projekti, për përfaqësuesin e tyre dhe bashkëvendësin tonë, ish-nxënësin e kësaj shkolle, z. Enis Vehapi, si dhe për drejtorin e ShML “Ruzhdi Berisha”, z. Lulzim Ahmeti, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre.
Me këtë rast, së bashku me drejtorin e Gjimnazit, z.Lulzim Ahmeti, ndamë edhe një mirënjohje për donatorin, në shenjë respekti dhe falënderimi për këtë donacion shumë të rëndësishëm.
Investimi në arsim dhe në infrastrukturën moderne shkollore është investim në të ardhmen e të rinjve tanë.
Urime stafit dhe nxënësve të ShML “Ruzhdi Berisha” për këtë të arritur, me dëshirën që ky kabinet të shërbejë si hapësirë e dijes, inovacionit dhe zhvillimit profesional!
Pas inaugurimit të Kabinetit të TIK-ut, së bashku vizituam edhe Bibliotekën e shkollës, si dhe kabinetet e Muzikës dhe Infermierisë.
BEXHET XHELADINI
Kryetar i Komunës së Dragashit