Në kuadër të Agjendës për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Dragashit u mbajt Seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues nga ekzekutivi dhe legjislativi lokal, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të OVL të UÇK-së, përfaqësues nga institucionet arsimore, fetare dhe të sigurisë, si dhe qytetarë të shumtë.
Seanca solemne nisi me intonimin e himnit shtetëror e kombëtar dhe me një minutë heshtje në nderim të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Në fjalën e tij, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Dragashit, z.Resul Fetahu, i uroi të gjithë qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke theksuar kjo është një ditë e veçantë për popullin tonë, ku me respekt dhe mirënjohje përulemi para të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini i uroi qytetarët për këtë ditë të shënuar, duke thënë se kjo është një ditë që na bashkon si qytetarë dhe na kujton arritjet, sakrificat dhe punën e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë tonë.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe nënkryetari i Komunës nga radhët e komuniteteve, z
Fejsal Halilović, Sekretari i OVL të UÇK-së, z.Salih Shala, dhe përfaqësuesi nga Familjet e Dëshmorëve, z.Ymridin Gërdellaj.
Në fund të seancës, Kryetari Xheladini e nderoi me mirënjohje kryetarin e OVL të UÇK-së në Dragash, z.Emri Neshati.
Seanca solemne u pasua me homazhe tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe, si dhe pllaka përkujtimore e dëshmorit turk, Husein Kutlu.
Agjenda e aktiviteteve për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u përmbyll me një program artistik në Shtëpinë e Kulturës “Abdurrahman Gërdellaj”.