Për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Komunës së Dragashit mbajti sot Seancë Solemne, të cilën e udhëhoqi kryesuesja Arijeta Skeraj. Në këtë seancë morën pjesë familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të OVL-së dhe invalidëve të luftës, asambleistë, përfaqësues të policisë, KFOR-it dhe FSK-së, këshillave të Bashkësisë Islame Dragash dhe Gora, zyrtarë komunalë, drejtorë të shkollave, përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe qytetarë të shumtë.
Kryesuesja Skeraj, në fjalën e saj tha se do të jemi mirënjohës përgjithmonë dhe do t’i kujtojmë me krenari e përulje Familjen Jashari në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, si dhe shprehu respekt për të gjithë ushtarët e dëshmorët e rënë për idealet e lirisë dhe pavarësisë, dhe të gjithë veteranët e Luftës të cilët sakrifikuan gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë dhe ta kemi shtetin tonë të pavarur.
Kryetari Xheladini tha se këto tri ditë ne përkujtojmë me krenari Epopenë e UÇK-së, e cila e ndryshoi përgjithmonë historinë e popullit shqiptar të Kosovës, ngriti vetëdijen e tij kombëtare dhe forcoi lidhjet e gatishmërinë për t’i shërbyer me nder dhe dinjitet vendit. Duke ndjekur rrugën që ata na trasuan, duhet të punojmë me përkushtim për ta ndërtuar një shtet të së drejtës, modern dhe demokratik, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë, pa dallim etnie, feje apo gjinie.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësuesi nga OVL e UÇK-së, z.Hajrim Arifi dhe nënkryetari i Komunës nga radhët e komuniteteve, z.Fejsal Halilović.
Pas seancës u bënë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, varrezat e Dëshmorëve në Dragash e Buqe. Homazhe u bënë edhe te pllaka përkujtimore e dëshmorit turk Husein Kutlu, ku mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë, Shkelqësia e Tij Sabri Tunc Angılı, koordinatorja e TIKA-s, znj.Fulya Aslan, dhe shefi i Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren, z.Celal Dogan.
Pas përfundimit të aktiviteteve në Dragash, në mënyrë të organizuar u vizitua Kompleksi i Jasharajve në Prekaz, ku u bënë homazhe te varrezat e Familjes Jashari.