Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, sot në sallën e Asamblesë Komunale në Dragash u mbajt Akademi Solemne, ku morën pjesë familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të OVL të UÇK-së dhe përfaqësues të institucioneve lokale politike, arsimore, fetare dhe të sigurisë, si dhe përfaqësues nga Njësia e LMT-së e KFOR-it Turk.
Kryetari i Komunës së Dragashit i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë Akademi. Ai u shpreh se 28 Nëntori është një datë me rëndësi të madhe historike për të gjithë shqiptarët, pasi shënon tri ngjarje të mëdha: Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen në skenë të UÇK-së. Në këtë Akademi nuk mund të kalojmë pa i përmendur Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Adem Jasharin dhe Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Kryetari Xheladini shtoi se sakfrifica dhe vetëmohimi i të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka për të krijuar shtetin modern shqiptar, do të shërbejë si udhërrëfim për të gjithë ne, që të punojmë pa ndalim për t’i zhvilluar vendet tona, duke ndërtuar shoqëri të lira dhe demokratike.
Pas Akademisë Solemne, u bënë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, te varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe, si dhe te pllaka përkujtimore e dëshmorit Husein Kutlu.
Agjenda e aktiviteteve për nder të 28 Nëntorit u përmbyll me një program festiv në sallën e ShML “Ruzhdi Berisha”, ku performuan ShKA “BRESANA” dhe këngëtarë të mirënjohur nga Komuna jonë.
Lavdi e përjetshme të rënëve për liri dhe pavarësi!
Lavdi për Komandantin Legjendar Adem Jashari!
Lavdi jetës dhe veprës së Presidentit historik Ibrahim Rugova!