Sot mbajtëm Takimin e parë informues të Komisionit për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal.
Ky proces i rëndësishëm bashkon përfaqësues nga Komuna e Dragashit, kompania fituese për hartimin e PZhK-së, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Parku Nacional, ekspertë të jashtëm, si dhe përfaqësues të organizatave lokale dhe ndërkombëtare. Ky bashkëpunim i gjerë është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të ndërtuar një vizion të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për të ardhmen e Komunës sonë.
Plani Zhvillimor Komunal është një nga dokumentet më të rëndësishme strategjike, i cili do të përcaktojë drejtimin e zhvillimit ekonomik, hapësinor dhe mjedisor të Dragashit për vitet në vijim. Përmes këtij Plani synojmë të krijojmë kushte më të mira për qytetarët tanë, të nxisim investimet, të mbrojmë resurset natyrore dhe të sigurojmë zhvillim të balancuar dhe të qëndrueshëm.
Ky është vetëm fillimi i një procesi të hapur dhe transparent, ku kontributi i të gjithë akterëve dhe qytetarëve do të jetë thelbësor.