Në kuadër të aktiviteteve për Muajin Rozë – muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sot në sallën e Asamblesë Komunale në Dragash u mbajt një ligjëratë vetëdijesuese, me qëllim të informimit të grave dhe vajzave për rëndësinë e parandalimit, kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
Takimin e hapi shefja e Kabinetit të Kryetarit të Komunës, znj. Arijeta Skeraj, e cila theksoi rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit për shëndetin e grave dhe të solidaritetit me të gjitha ato që përballen me kancerin e gjirit. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të kryetarit të Komunës ndaj grave të prekura nga kjo sëmundje.
Në hapje të aktivitetit ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, i cili në fjalën e tij theksoi se kujdesi për shëndetin, kontrollet e rregullta dhe zbulimi i hershëm janë thelbësore në luftën kundër kancerit të gjirit. Ai shprehu solidaritetin dhe përkrahjen për të gjitha gratë që po përballen me këtë sfidë shëndetësore.
Kryetari Xheladini rikujtoi se edhe këtë vit, Komuna e Dragashit ka ndarë subvencione në vlerë prej 500 eurosh për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, si mbështetje konkrete për t’ua lehtësuar sadopak barrën e përballjes me këtë sëmundje.
Nga një fjalë përshëndetëse patën edhe zyrtarja për Barazi Gjinore, znj.Lindita Kozmaqi Piraj, dhe përfaqësuesja e Grupit të Grave Asambleiste, znj. Pajtesa Berisha, të cilat iu bashkuan mesazhit për ndërgjegjësim, kujdes dhe solidaritet me gratë që përballen me këtë sëmundje.
Ligjëratën e mbajtën doktoreshat Besiana Refiku dhe Edina Osmankaj, të cilat ndanë informacione dhe këshilla të rëndësishme lidhur me ndërgjegjësimin, parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke vënë theksin te rëndësia e kontrolleve të rregullta shëndetësore.
Pas ligjëratës, u organizua edhe një marsh solidarizues nga objekti i Komunës drejt QKMF – Dragash, si shenjë përkrahjeje për të gjitha gratë dhe vajzat që përballen me këtë sfidë, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin në komunitet mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Përmes këtyre aktiviteteve, Komuna e Dragashit synon të kontribuojë në rritjen e vetëdijesimit për shëndetin e grave dhe të inkurajojë secilën grua e vajzë që të kujdeset për veten dhe të mos i neglizhojë kontrollet shëndetësore.