Në udhëheqjen e kryesueses, znj.Arijeta Skeraj, Kuvendi i Komunëe së Dragashit mbajti sot Mbledhjen V (e pestë) të rregullt për vitin 2025, ku në rend të ditës ishin këto pika:
1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar;
2. Propozim-vendim për miratimin e nismës për bashkëpunimin komunal ndërkombëtar dhe fillimin e procedurave për binjakëzimin ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Komunës Purkesdorf – Austri;
3. Propozim-vendim për miratimin e nismës për bashkëpunimin komunal ndërkombëtar dhe fillimin e procedurave për binjakëzimin ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Komunës së Mavrovës – Rostushës, Maqedoni e Veriut;
4. Propozim-vendim për anulimin e Vendimit për publikimin e listave të pronave të paluajtshme të Komunës (Listës së Përgjithshme dhe të Veçantë) 01Nr.060/01-5357-3/25 të datës 08.04.2025; dhe
5. Eventuale.
Pas miratimit të rendit të ditës dhe procesverbalit, në dy pikat e tjera pasuese (2 dhe 3) Kuvendi diskutoi dhe miratoi me shumicë votash nismat për bashkëpunimin komunal ndërkombëtar dhe fillimin e procedurave për binjakëzimin ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Komunës Purkesdorf – Austri, si dhe me Komunën e Mavrovës-Rostushës nga Maqedoniasë Verkut. Paraprakisht, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, njoftoi delegatët për takimin me përfaqësuesit e Komunës Purkesdorf në Austri, të realizuar gjatë vizitës studimore, si dhe për takimin e një delegacioni të Komunës sonë me përfaqësuesit e Komunës Mavrovë-Rostushë, ku është diskutuar edhe bashkërendimi i veprimeve për të filluar procedurat e binjakëzimit me të dy komunat përktatëse.
Në pikën e katërt të rendit të ditës, Kuvendi votoi për anulimin e Vendimit për publikimin e listave të pronave të paluajtshme të Komunës (Listës së Përgjithshme dhe të Veçantë), të datës 08.04.2025. Ky vendim u mor për shkak të pamundësisë së plotësimit të kërkesave ligjore nga ana e MAPL-së lidhur me Vendimin e datës 08.04.2025.
Në pikën eventuale asambleistët parashtruan pyetjet e tyre lidhur me ecurinë e investimeve kapitale, shërbimet shëndetësore dhe komunale dhe pyetje të tjera me interes për qytetarët. Të gjitha pyetjeve iu përgjigj kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini.