URIMI I KRYETARIT BEXHET XHELADINI PËR FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR
Të dashur nxënës dhe mësimdhënës,
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2022/23, në emrin tim si kryetar i Komunës së Dragashit, ju shpreh urimet më të përzemërta të gjithë juve, e në veçanti atyre që këtë vit do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës, për të nisur udhëtimin e tyre plot sfida dhe kënaqësi drejt nxënies së dijes.
Përshëndetjet më të ngrohta për të gjithë ata mësimdhënës të përkushtuar maksimalisht për të nxjerrë gjenerata të suksesshme nga komuna jonë, të cilat do t’i shërbejnë me devotshmëri dhe dinjitet zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë për një të ardhme më të ndritshme.
Me qëllimin e vetëm që të jemi çdo herë në shërbim të qytetarëve, kemi punuar që këtë vit ta heqim barrën e pagesës së transportit për të gjithë nxënësit e të gjitha shkollave të Komunës së Dragashit. Nga 1 shtatori i këtij viti, nxënësit tanë të cilët vijojnë mësimin nëpër shkollat brenda territorit të Komunës së Dragashit, nuk do të paguajnë asnjë cent për transportin e tyre.
Sa i përket furnizimit me tekste dhe materiale shkollore, në bashkëpunim me mësimdhënësit do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë për t’u ofruar ndihmë prindërve rreth mënyrës së aplikimit në platformën eKosova dhe blerjes së teksteve mësimore për fëmijët e tyre, si dhe do të hulumtojmë gjendjen e stoqeve me libra të vjetra dhe materiale mësimore nëpër shkolla, në mënyrë që ta kompenzojmë mungesën e tyre dhe asnjë nxënës të mos mbetet pa materialet e nevojshme për mësimnxënie.
Urime të gjithëve dhe paçi një vit të mbarë shkollor!
Me respekt,
Bexhet Xheladini
Kryetar i Komunës së Dragashit