Sot Kryetari Xheladini priti në takim përfaqësues të Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, znj.Ibadete Krasniqi – drejtoreshë ekzekutive, znj.Veronika Misini – psikologe, dhe znj.Hajrije Berisha – zyrtare për prokurim, të shoqëruar nga z.Ibrahim Gashi – drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Dragash.
Drejtoresha e OFAP e informoi Kryetarin Xheladini për misionin dhe aktivitetet e organizatës, e cila ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror në Kosovë. Përfaqësuesit e OFAP kërkuan nga kryetari i Komunës që, në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, të angazhohen në rritjen e mbështetjes dhe stimulimin në forma të ndryshme, por edhe në rritjen e numrit të familjeve strehuese në Komunën e Dragashit, të cilat do të përkujdesen për fëmijët pa kujdes prindëror.
Kryetari Xheladini e çmoi lart vizitën dhe interesimin e organizatës OFAP për avancimin e shërbimeve sociale në komunën tonë. Ai theksoi se vullneti për t’i ndihmuar familjet strehuese nuk ka munguar asnjëherë dhe se në të ardhmen ndihma dhe mbështetja do të jetë edhe më e madhe, gjithmonë duke pasur parasysh mundësitë ligjore dhe kapacitetet financiare që ka Komuna e Dragashit.
Në këtë takim morën pjesë edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z.Behar Brenoli, si dhe asambleistja Arijeta Qafleshi Skeraj.