Në sallën e Asamblesë Komunale në Dragash sot u zhvillua një takim me fermerët e blegtorisë, i cili u mbështet dhe u organizua nga kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini. Në këtë takim mori pjesë edhe pronari i kompanisë ”Viva Fresh Store”, z.Xhevdet Rexhepi, së bashku me drejtorin komercial, z.Enis Abdurrahmani.
Fermerët nga Dragashi të cilët merren me blegtori, patën rastin që të diskutojnë me pronarin e kësaj kompanie për mundësitë e plasimit në treg të produkteve të tyre blegtorale. Pronari i kompanisë “Viva Fresh Store” u premtoi përkrahje të parezervë të gjithë blegtorëve nga komuna jonë, për sigurimin e gjithë hapësirës së nevojshme për plasmanin e produkteve të tyre në treg, si dhe shitjen e të gjitha produkteve që ata i prodhojnë. z.Rexhepi tha se është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësus nga Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Zhvillim, dhe se do t’u sigurojë kontakt me ta, në mënyrë që ata personalisht t’ua përcjellin të gjitha kërkesat dhe nevojat e tyre.
Ai kërkoi nga fermerët që të fokusohen në prodhim sa më të madh, duke theksuar se tash e tutje nuk do të jetë më problem shitja e produkteve të tyre.
Fermerët ndërkaq kërkuan që, përveç sigurimit të tregut për produktet e tyre, të vazhdohet me rritje të subvencionimit për sigurimin e plehut artificial dhe ushqimeve të tjera për kafshë, për sigurimin e të cilave po hasin në vështirësi për shkak të rritjes së çmimeve.
Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë blegtorët që morën pjesë në këtë takim. Ai gjithashtu falënderoi edhe z.Xhevdet Rexhepi për bashkëpunimin me fermerët e komunës sonë dhe ofroi mbështetjen tij dhe të Komunës së Dragashit për zhvillimin sa më të qëndrueshëm të sektorit të blegtorisë, i cili përbën një nga shtyllat kryesore të cilat mbajnë gjallë shumë ekonomi familjare në Komunën e Dragashit.
Kryetari Xheladini i siguroi fermerët që së bashku me pronarin e kompanisë “Viva Fresh Store” do të organizojnë takime edhe me ministrin e Bujqësisë për të diskutuar në lidhje me kërkesat e tyre për subvencione dhe mbështetje institucionale nga niveli qendror.