Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Komunës së Dragashit, kryetari Komunës, z.Bexhet Xheladini, edhe këtë vit nderoi pensionistët e arsimit, shëndetësisë dhe administratës komunale me mirënjohje dhe nga një dhuratë simbolike.
Kjo traditë e bukur është një shprehje e respektit dhe falënderimit për gratë dhe burrat që për dekada të tëra i kanë shërbyer me përkushtim komunitetit tonë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryetari Xheladini tha se mësimdhënësit që edukuan breza të tërë, punëtorët shëndetësorë që u kujdesën për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe administrata komunale që kontribuoi në funksionimin dhe zhvillimin e institucioneve tona, meritojnë vlerësimin më të lartë.
Kontributi i tyre është pjesë e historisë dhe suksesit të Komunës së Dragashit, ndërsa puna dhe përvoja e tyre mbeten frymëzim për brezat që vijnë.
Kryetari Xheladini u shpreh falënderues për gjithçka që kanë bërë për Komunën dhe qytetarët tanë, duke u uruar shëndet, lumturi dhe shumë vite të mbushura me gëzime pranë familjeve të tyre.