Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë vizituar sot Komunën e Dragashit, ku janë pritur nga kryetari i komunës, z.Bexhet Xheladini.
Postimi i plotë i Kryetarit Xheladini:
“Sot në Komunën tonë ishte për vizitë kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z.Liburn Aliu.
Pas inspektimit që së bashku i bëmë punimeve që po zhvillohen përgjatë rrugës Zhur-Dragash, Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Aliu i prita në kabinetin tim, ku shfrytëzova rastin që t’i informoj për problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohemi si komunë tash e sa kohë, siç janë vështirësitë në investime në fushën e turizmit, blegtorisë si dhe energjisë së ripërtritëshme si pasojë e kontesteve pronësore- juridike me AKP-në dhe shpalljes së 57% të territorit të Komunës së Dragashit park nacional.
Kryeministrit Kurti dhe Ministrit Liburn Aliu iu drejtova me disa kërkesa për realizimin e projekteve infrastrukturore, siç janë ndërtimi i rrugës nga fshati Blaç për në bjeshkën e fshatit, pastaj rruga Zlipotok-Brod dhe asfaltimi i Stacionit të Autobusëve në Dragash. Po ashtu kërkova që me rastin e ndërtimit të rrugës që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut, një pjesë e kësaj rruge të kalojë nëpër territorin e komunës sonë, gjegjësisht nëpër bjeshkën e fshatit Zaplluxhe. Kërkesë tjetër ishte edhe rishikimi i vijës kufitare të Parkut Nacional, i cili është bërë pengesë për zhvillimin e turizmit dhe blegtorisë.
Kryeministrin kurti e informova për vendimin e Asamblesë Komunale për Shpalljen e interesit të përgjithshëm për disa prona në menagjim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të cilat duhet të kalojnë në shfrytëzim komunës me qëllim të ndërtimit të dy deponive për mbetje inerte,njëra në pjesën e Opojës dhe tjetra në pjesën e Gorës..
Gjithashtu, kërkova bashkëpunim dhe ndihmë nga Qeveria e Kosovës për realizimin e Projektit të Ujësjellësit, projektit më të rëndësishëm infrastrukturor në komunën tonë, i cili do t’i furnizojë me ujë të pijshëm 15 fshatra dhe qytezën e Dragashit.
Shpresoj që kërkesat tona të hasin në mirëkuptim te Kryeministri I Kosovës z.Albin Kurti dhe Ministri Aliu.”