Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete sot mbajtën mbledhjet e rregullta, me këto pika të rendit të ditës:
1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar,
2. Shqyrtimi i materialit të Kuvendit për seancën e parë, dhe
3. Eventuale.
Gjatë këtyre mbledhjeve anëtarët e komiteteve përkatëse diskutuan, dhanë kritikat, vërejtjet dhe propozimet e tyre për pikat e rendit të ditës dhe materialet të cilat do të shqyrtohen në seancën e nesërme të Kuvendit Komunal. U propozua që në kuadër të Planit të Punës së Kuvendit të futen dy vizita studimore. Gjithashtu u propozua që Kuvendi t’i rekomandojë Ministrisë së Financave pezullimin e vendimit për rivlerësimin e pronave, në mënyrë që qytetarët të paguajnë tatimin në pronë njëjtë sikur vitin e kaluar.
Me shumicë votash u aprovua kalimi për diskutim i këtyre çështjeve në seancën e parë të Kuvendit Komunal për vitin 2023, e cila do të mbahet nesër.
Në mbledhje ishin prezent edhe kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini, nënkryetari i Komunës, drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, si dhe përfaqësues të OSBE-së.



