Komuna e Dragashit shpreh keqardhje për vështirësitë e krijuara gjatë ditëve të fundit, e në veçanti gjatë ditës së djeshme, në furnizimin me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit.
Ne e mirëkuptojmë plotësisht shqetësimin e qytetarëve dhe bizneseve, të shprehur në forma të ndryshme.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për situatën e krijuar, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, ka angazhuar nënkryetarin e Komunës, z. Vetim Ramadani, që të koordinojë urgjentisht veprimet për menaxhimin e kësaj gjendjeje.
Dëshirojmë të sqarojmë se kjo situatë nuk është shkaktuar me qëllim dhe as si pasojë e neglizhencës institucionale. Përkeqësimi i furnizimit me ujë ka ardhur si rezultat i një kombinimi faktorësh, përkatësisht: rritjes së ndjeshme të konsumit gjatë ditëve me temperatura të larta, shtimit të numrit të bashkatdhetarëve që po qëndrojnë në vendlindje gjatë sezonit veror, si dhe zvogëlimit të prurjeve të ujit në lumin Radeshë për shkak të mungesës së reshjeve dhe thatësisë së zgjatur.
Për informim të drejtë të qytetarëve, dëshirojmë të sqarojmë se përgjegjëse për menaxhimin dhe furnizimin me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit është KRU “Hidroregjioni Jugor”, Njësia Operative në Dragash. Gjithashtu, theksojmë se Komuna e Dragashit në asnjë moment nuk e ka zvogëluar sasinë e ujit të marrë nga lumi Radeshë për Koagulatorin (Fabrikën e Trajtimit të Ujit) në Dragash. Prandaj, çdo pretendim se Komuna ka ndërhyrë në uljen e prurjeve të ujit është i pavërtetë dhe nuk mbështetet në fakte.
Komuna e Dragashit, në bashkëpunim me KRU “Hidroregjioni Jugor”, mbetet plotësisht e angazhuar për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për stabilizimin e furnizimit me ujë në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim dhe solidaritet, duke e përdorur ujin e pijshëm në mënyrë të përgjegjshme dhe racionale. Apelojmë që gjatë kësaj periudhe të shmangen shpenzimet e panevojshme të ujit, si larja e automjeteve, rrugëve dhe oborreve, mbushja e pishinave, si dhe ujitja e sipërfaqeve me ujë të pijshëm.
Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe banorëve të fshatrave që furnizohen nga ujësjellësi kryesor të tregojnë kujdes të shtuar në shfrytëzimin e ujit. Për shkak të thatësisë dhe rënies së ndjeshme të prurjeve në lumin Radeshë, sasia e ujit që arrin në fabrikën e trajtimit është zvogëluar dukshëm, gjë që ndikon drejtpërdrejt në kapacitetin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe pritet të vazhdojë të ndikojë edhe në ditët në vijim.
Për informimin e qytetarëve të fshatrave Rapçë dhe Kërstec, njoftojmë se projekti Lot 3 është në fazën përfundimtare të realizimit dhe, duke filluar nga java e ardhshme, edhe në këto fshatra do të vihet në funksion furnizimi me ujë për përdorim.
Vetëm përmes një përdorimi të kujdesshëm, racional dhe solidar të ujit mund të sigurojmë një furnizim sa më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.
Komuna e Dragashit falënderon qytetarët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin e tyre, duke i siguruar se do t’i mbajë të informuar në kohë reale për çdo zhvillim dhe masë që do të ndërmerret lidhur me gjendjen e furnizimit me ujë.