Sot, Komunën e Dragashit e vizituan përfaqësues të Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), Thomas Tamanini, drejtues ekipi në Sektorin e Mjedisit – AICS Tiranë; Giovanni Timillero, ekspert i Mjedisit – AICS Tiranë; Nicola Ghedin, Përgjegjës për marrëdhëniet me OJF-të – AICS Tiranë; dhe Liridon Blakaj, Asistent Ekzekutiv – AICS Prishtinë, të cilët u pritën nga Ekipi Komunal për Zhvillim, Trashëgimi Kulturore dhe Turizëm, z.Qamil Kolloni, znj.Liridona Misinaj dhe z.Kerim Latifi.
Gjatë takimit, të pranishmit u njoftuan për prioritetet dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik me impakt në komunitet, si dhe vendosjen e bazave elementare për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, duke u fokusuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbrojtjen e ambientit dhe biodiversitetit natyror, si dhe duke promovuar resurset vitale që ka Komuna e Dragashit.
Ekspertët për mjedis nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim shprehën vullnetin e tyre për t’u angazhar në mbështetjen e investimeve që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm turistik, duke u dakorduar që së bashku me ekipin komunal të angazhohen në implementimin e projektit trevjeçar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, ku në bashkpunim me OJQ lokale e ndërkombëtare, si dhe komunitetin e bizneseve lokale, do të krijohet një ambient që ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Komunës së Dragashit.