Sot, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me pjesëtarë të Kabinetit, priti në takim drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren, z.Samir Hoxha, me të cilin zhvilloi një diskutim të rëndësishëm lidhur me trashëgiminë kulturore të Komunës së Dragashit.
Me këtë rast, Kryetari Xheladini pranoi zyrtarisht Raportin e Rivlerësimit të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore të Paluajtshme në Komunën e Dragashit për vitin 2026, të përgatitur nga QRTK z Prizren, në kuadër të përgjegjësive institucionale për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Raporti përmban vlerësime dhe rekomandime të rëndësishme për ruajtjen, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe promovimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në territorin e Komunës sonë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet identifikimit të nevojave për ndërhyrje, mirëmbajtjes së vazhdueshme, ruajtjes së vlerave arkitektonike e historike, si dhe përfshirjes së këtyre aseteve në ofertën kulturore dhe turistike të Komunës sonë.
Kryetari Xheladini theksoi se Komuna e Dragashit mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet kompetente, të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjen e saj për brezat e ardhshëm dhe promovimin e saj si një vlerë e rëndësishme kulturore dhe turistike.
Ai gjithashtu falënderoi z. Samir Hoxha dhe ekipin e QRTK-së në Prizren për punën dhe bashkëpunimin institucional.