Me iniciativën e kryesueses së Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, mbështetjen e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, si dhe me përkrahjen e OJQ-së “NEVO KONCEPTI”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Komuna e Dragashit ka marrë një hap të rëndësishëm në drejtim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve, duke themeluar Asamblenë Komunale të Fëmijëve, një platformë e cila do të shërbejë si një mundësi e mirë që zëri i tyre të dëgjohet në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
Në takimin themelues të kësaj Asambleje morën pjesë kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, dhe kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, të cilët e uruan Kryesinë e re të Asamblesë Komunale të Fëmijëve, duke u dëshiruar suksese në detyrat e tyre të reja. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishin edhe kryesuesi i Komitetit për Komuniteti, z.Miralem Rahte dhe sekretari i Ekipit për të Drejtat e Fëmijës, z.Faton Nafezi.
Kryetari Xheladini dhe Kryesuesja Skeraj pritën këta fëmijë edhe në zyrat e tyre, së bashku me Kryesinë e re të Asamblesë Komunale të Fëmijëve: Vesa Myrtezanin – kryetare e Asamblesë, Hysni Bojaxhiu – nënkryetar, Sara Skenderovski – nënkryetare nga komunitetet, Besfort Bahtijari – sekretar dhe Keid Alli – sekretar nga komunitetet.
Më pas, udhëheqësit e qeverisjes lokale morën pjesë në programin e organizuar për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, me nxënësit e ShFMU “Fetah Sylejmani” në Dragash. Programi për nder të 1 Qershorit u organizua me mbështetje financiare të Komunës së Dragashit dhe implementim të OJQ “Avoko” si fituese e Thirrjes publike.
Aktivitetet e ditës së sotme krerët e qeverisjes lokale i përmbyllën me vizitën në zyrat e LMT-së së KFOR-it Turk në Dragash, si dhe me inspektimin e punimeve në Stadiumin e qytetit.