Sot u nënshkrua memorandum bashkëpunimi në mes të Komunës së Dragashit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për financimin e përbashkët të projektit për ndërtimin e Stadiumit të qytezës së Dragashit. Ky memorandum u nënshkrua nga kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, dhe në emër të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi, memorandumin e nënshkroi kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Prizren, njëherit edhe anëtar i Komitetit të FFK-së, z.Mirsad Çollaku.
Në bazë të këtij memorandumi, Federata e Futbollit të Kosovës do të kryejë këto punë:
– Furnizimi dhe montimi i barit artificial,
– Punët e zhavorit final dhe granulatit,
– Punimet e zhveshtores dhe zyrës (të gjitha fazat), dhe
– Punimi i gardhit.
Ndërkaq, Komuna e Dragashit do të kryejë:
– Punët e gërmimit,
– Punët e drenazhës,
– Punët e gjeotekstilit,
– Punët e zhavorit,
– Punët e ujitjes,
– Punët e skajoreve,
– Furnizimi me rrymë, kanalizim dhe ujë deri te objekti, dhe
– Nëse është e nevojshme komuna do t’i sigurojë pëlqimet dhe lejet përkatëse për ndërtimin e stadiumit.
Kryetari Xheladini e falënderoi përfaqësuesin e FFK-së për gatishmërinë e bashkëpunimit në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për komunën tonë, duke përmendur edhe rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të kreut të kësaj federate, z.Agim Ademi.