Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim përfaqësuesin e kompanisë Count On Crops LLC, z.Fazal Muqeem, së bashku me presidentin e Dhomës së Tregtisë Kosovë-Malajzi (KMCC), z.Perparim Kryeziu, me ç’rast shënuam një hap të rëndësishëm për të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik të Komunës së Dragashit, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik me Count On Crops LLC.
Kjo marrëveshje krijon bazën për një bashkëpunim afatgjatë në zhvillimin e bujqësisë moderne, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të serave, fuqizimit të fermerëve, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe krijimit të mundësive të reja për investime dhe qasje në tregjet vendore e ndërkombëtare.
Qëllimi ynë është i qartë: ta bëjmë Dragashin një shembull të zhvillimit të qëndrueshëm rural, duke mbështetur fermerët tanë me njohuri, inovacion dhe mundësi të reja për rritjen e prodhimit dhe të ardhurave. Marrëveshja parasheh gjithashtu promovimin e kultivimit në sera, krijimin e fermave demonstrative, organizimin e trajnimeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Dëshiroj të theksoj se kjo është një marrëveshje strategjike bashkëpunimi, e cila nuk krijon obligime financiare për Komunën, ndërsa çdo projekt konkret investues do të realizohet përmes marrëveshjeve të veçanta, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Falënderoj përfaqësuesit e Count On Crops LLC dhe partnerët tanë për besimin dhe gatishmërinë për të investuar në potencialin e jashtëzakonshëm bujqësor që ka Dragashi.
Ne mbetemi të përkushtuar që çdo partneritet ta shndërrojmë në mundësi konkrete për fermerët, të rinjtë dhe familjet tona, duke ndërtuar një ekonomi rurale më të fortë, më konkurruese dhe më të qëndrueshme.
BEXHET XHELADINI
Kryetar i Komunës së Dragashit