Komuna e Dragashit ka përmbyllur sot procesin e organizimit të dëgjimeve buxhetore për Draftin e Buxhetit komunal për vitin 2027.
Bazuar në Kalendarin e dëgjimeve buxhetore, gjatë këtyre dy ditëve u mbajtën dy dëgjime buxhetore, të organizuara nga ekzekutivi lokal. Të ftuar në këto dëgjime ishin grupet e nënpërfaqësuara (gratë dhe vajzat, personat me nevoja të veçanta, përfaqësues nga komuniteti joshumicë etj.), si dhe përfaqësues nga grupet e ndryshme të interesit, këshillat e fshatrave, OJQ-të, bizneset, klubet kulturore dhe sportive etj.
Prezantimin e dokumenteve buxhetore dhe planifikimet për vitin e ardhshëm 2027 e bënë kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, dhe drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik, z.Qamil Kolloni, ndërsa për buxhetin e komunitetit joshumicë dha sqarime shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, z.Uzair Hamza. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të tjerë të Kabinetit, duke përfshirë nënkryetarin për Komunitete, z.Fejsal Halilović.
Pjesëmarrësit patën mundësinë që të parashtrojnë kërkesat dhe propozimet e tyre, për të cilat do të hartohet raport i detajuar nga Grupi Punues për Organizimin e Dëgjimeve Buxhetore.
Kryetari Xheladini i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për interesimin e tyre që të bëhen pjesë e planifikimit të përbashkët buxhetor për vitin 2027.




