Kryetari Xheladini priti sot në takim znj.Dafina Krasniqi, zyrtare për Zhvillim në Fëmijërinë e Hershme në UNICEF, të shoqëruar nga përfaqësuesi i Zyrës së UNICEF-it në Dragash, z.Agon Baxhaku.
Në këtë takim konsultativ u diskutua për hapat e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe vazhdimit të partneritetit në mes të UNICEF-it dhe Komunës së Dragashit.
Të dy palët u dakorduan që shumë shpejt të fillohet me krijimin e grupit punues dhe organizimin e punëtorive për hartimin e Planit të Punës për Ekipin për të Drejtat e Fëmijëve, i cili do të bëhet nën udhëheqjen e Komunës së Dragashit, me mbështetje teknike dhe organizative të UNICEF-it.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për ecurinë e projektit për krijimin e Qendrës me Bazë në Komunitet në fshatin Bresanë, me ç’rast u kërkua që UNICEF- të garantojë edhe zyrtarisht mbështetjen financiare për pagesën e dy edukatoreve që do të punësohen në këtë qendër.
Në këtë takim u vendos që të punohet sa më shpejt në renovimin dhe hapjen e Çerdhes në qytezën e Dragashit.
Në takimin me përfaqësuesen UNICEF-it, Kryetari Xheladini kërkoi që kjo organizatë ta mbështesë Komunën e Dragashit edhe në realizimin e projekteve të tjera, siç janë ndërtimi i këndit të lojërave për fëmijë në oborret e shkollave dhe të çerdhes, si dhe të ndërmjetësojë në gjetjen e donatorëve për realizimin e projektit të Ujësjellësit.