Pas dy takimeve konstituive të mëhershme, sot u mbajt takimi i tretë i Komisionit Komunal për Regjistrimin e Popullsisë, i cili u kryesua nga kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, njëherit edhe kryetar i këtij Komisioni. Ky takim kishte karakter informues dhe anëtarët e këtij Komisioni u njoftuan lidhur me konkursin për pozitat e Mbikëqyrësve dhe Regjistruesve, si dhe për obligimet dhe përgjegjësitë e anëtarëve të KKRP-së gjatë procesit të Regjistrimit të Popullsisë.
Anëtarët e KKRP-së gjatë këtij takimi shprehën shqetësimin e tyre për afatin e shkurtë të konkursit për pozitat e Mbikëqyrësit dhe Regjistruesit, të shpallur nga ana e ASK-së. Për këtë çështje Kryetari Xheladini kërkoi nga organet përgjegjëse të ASK-së që të shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes së këtij afati, së paku edhe për pesë ditë të tjera.
Ju rikujtojmë se konkursi për Mbikëqyrës dhe Regjistrues është i hapur nga data 26.09.2023 deri më 02.10.2023. Të gjithë ata të cilët dëshirojnë që të aplikojnë për këto pozita, mund ta bëjnë këtë në formë elektronike përmes linkut http://rekosrekrutime.rks-gov.net/ në uebfaqen e ASK-së, si dhe në formë fizike në komunën në të cilën aplikojnë.
Të gjithë të interesuarit për aplikim nga radhët e komunitetit shqiptar, mund të paraqiten në zyrën e Nënkryetarit Resul Fetahu, i cili është person kontaktues dhe përgjegjës për ngarkimin e formularëve të aplikimit në sistemin online.
Ndërkaq, të interesuarit për aplikim nga radhët e komuniteteve joshumicë, mund të paraqiten tek shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, z.Uzair Hamza, i cili është person kontaktues dhe përgjegjës për ngarkimin e formularëve të aplikimit në sistemin online.