Sot Komunën e Dragashit e vizitoi Komandanti i KFOR-it, Komanda Regjionale Perëndim, Kolonel Mario Bozzi, i cili u prit nga kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me dy nënkryetarët, shefin e Kabinetit dhe shefin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim.
Fillimisht, Kryetari Xheladini e prezantoi Kolonel Mario Bozzin me një historik të shkurtër gjeografik dhe politik të Komunës së Dragashit. Gjatë diskutimit u theksuan pengesat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Komuna e Dragashit në zhvillimin e potencialeve turistike dhe ekonomike, si pasojë e mungesës së tokës për tërheqjen e investitorëve, kur dihet se më shumë se gjysma e territorit të komunës sonë është e shpallur park nacional.
Kolonel Bozzi shprehu gatishmërinë e tij për t’i ofruar mbështetje Komunës së Dragashit në arsim, në shëndetësi dhe në shërbimin e zjarrfikësve, e gjithashtu edhe në sigurinë malore, ku janë të gatshëm që të ofrojnë personel trajnues nëpër shkolla dhe institucione të komunës sonë.
Kryetari Xheladini e falënderoi për vizitën Kolonelin Mario Bozzi dhe e çmoi lart rolin e KFOR-it në sigurinë e përgjithshme të vendit tonë, duke e konsideruar si njërin nga faktorët më të rëndësishëm të sigurisë dhe paqes në Kosovë.
Në fund të takimit Kryetari Xheladini e informoi Kolonel Bozzin se Komuna e Dragashit i ka njoftuar qytetarët për manovrat ushtarake që do t’i zhvillojë KFOR-i gjatë këtyre ditëve në territorin e komunës sonë.