Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi mbajti sot Mbledhjen III (e tretë) të rregullt për vitin 2024, ku u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i dytë;
2. Raportim i kryetarit mbi kronologjinë e vërshimeve në disa fshatra të Komunës sonë;
3. Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë, çështjet politike dhe të sigurisë gjatë tremujorit të dytë, veprimet dhe masat për luftimin e shkelësve të ligjit, si dhe masat për shkelësit e ligjit në komunikacion në Komunën e Dragashit;
4. Parapërgatitja dhe vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e zjarrit gjatë sezonit veror dhe shtimi i masave të sigurisë;
5. Diskutim lidhur me rrugën njëkahore (Unazën e Qytetit) gjatë fluksit të mërgimtarëve);
6. Monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e sigurisë në shkolla dhe zbatimi i Planit për Siguri në shkolla; dhe
7. Të ndryshme.
Pas aprovimi të procesverbalit nga takimi i kaluar, në pikën e dytë të rendit të ditës Kryetari Xheladini prezantoi një kronologji të ngjarjeve nga fillimi i vërshimeve dhe informoi anëtarët e KKSB-së për aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga organet komunale.
Gjendja e përgjjthshme e sigurisë në Komunën e Dragashit, sipas raportimeve të komandantit të Stacionit Policor dhe komandantit të Vijës Kufitare, u vlerësua përgjithësisht e qetë dhe stabile. Gjithashtu, në këtë takim raportuan për aktivitetet e drejtorive përkatëse edhe drejtori i Arsimit dhe drejtori për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike.
Në këtë takim i KKSB-së u vendos që:
1. Të kërkohet nga të gjithë qytetarët, aktivistët, kryetarët e fshatrave, kompanitë, OJQ-të dhe shoqatat e ndryshme, që të bëjnë të pamundurën për të minimizuar sado pak dëmet e shkaktuara si pasojë e vërshimeve;
2. Të apelohet te qytetarët të cilët kanë prona pranë lumenjve, të bëjnë pastrimin e atyre pjesëve të lumit që kufizohen me pronat e tyre, të bëjnë edhe prerjen e drunjve të cilët pengojnë lëvizjen e ujin nëpër shtratin e lumit;
3. Të apelohet te qytetarët që të bëjnë zhbllokimin e kanalizimeve, duke bërë pastrimin e pusetave të cilat janë mbushur me rërë dhe materiale të ngurta, me qëllim të parandalimit të ndonjë epidemie;
4. Të kërkohet nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar me zjarret e ndezura në natyrë gjatë vikendeve apo piknikëve të ndryshëm, me qëllim të parandalimit të përhapjes së tyre dhe shkaktimit të zjarreve masive që dëmtojnë ambientin, florën dhe faunën, si dhe rrezikojnë sigurinë e qytetarëve;
5. Rruga Unazore njëkahëshe të funksionalizohet edhe gjatë këtij sezoni të fluksit të mërgimtarëve, me orar dhe gjatësi të njëjtë, ashtu siç ka qenë vitin e kaluar, ndërsa data e saktë e funksionalizmit dhe përfundimit të Rrugës Unazore do të caktohet nga kryetari i Komunës në bashkëpunim me Stacionin Policor në Dragash.