Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi sot mbajti mbledhjen e parë për këtë vit, të kryesuar nga kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini. Për diskutim ishin këto pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i VI për vitin 2022,
2. Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë në territorin e Komunës së Dragashit, duke përfshirë edhe festat e fundvitit,
3. Analizë e sigurisë në territorin e Komunës së Dragashit për vitin paraprak,
4. Siguria në trafik,
5. Monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e sigurisë në shkolla dhe zbatimi i planit për siguri në shkolla,
6. Veprimet dhe masat për luftimin e shkelësve të ligjit në Komunën e Dragashit, dhe
7. Të ndryshme.
Gjendja e sigurisë gjatë vitit 2022 në territorin e Komunës së Dragashit në përgjithësi u vlerësua e qetë dhe stabile, bazuar në raportimet e komandantit të Policisë dhe komandantit të Vijës Kufitare në Dragash. Për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në shkolla raportoi kreu i Dejtorisë Komunale të Arsimit, z.Selim Kryeziu, i cili theksoi se Komuna e Dragashit qëndron mirë sa i përket sigurisë dhe rasteve të dhunës në shkolla. Ndërsa z.Nuhija Tairovci nga Drejtoria për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, raportoi për intervenimet nga shërbimi i zjarrfikësve, intervenimet për rastet e ndryshme që kanë krijuar vështirësi për qytetarët në trafik dhe shërbime të tjera teknike të kryera nga kjo drejtori.
Krerët e dy Këshillave të Bashkësive Islame raportuan për aksionin e fundit për grumbullimin e ndihmave në rastin e vërshimeve në disa komuna të Kosovës.
Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe kërkoi kontribut dhe përfshirje aktive nga të gjithë akterët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.