Nën kryesimin e Kryetarit Xheladini, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi mbajti Mbledhjen III (e tretë) të rregullt për vitin 2026, ku u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i dytë;
2. Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë, përfshirë çështjet politike dhe të sigurisë gjatë tremujorit të dytë, veprimet dhe masat e ndërmarra për luftimin e shkelësve të ligjit, si dhe masat e ndërmarra ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit në Komunën e Dragashit;
3. Parapërgatitja dhe vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit veror dhe shtimi i masave të sigurisë;
4. Diskutim lidhur me funksionimin e rrugës njëkahore (Unaza e Qytetit) gjatë periudhës së fluksit të mërgimtarëve;
5. Monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e sigurisë në shkolla dhe zbatimi i Planit për Siguri në Shkolla; dhe
6. Të ndryshme.
Pas miratimit të procesverbalit, në pikën e dytë të rendit të ditës raportuan përfaqësuesi i Stacionit Policor në Dragash, z.Rrahman Tafili, dhe komandanti i Vijës Kufitare, z.Jeton Hulaj. Gjendja e përgjjthshme e sigurisë në Komunën e Dragashit u vlerësua përgjithësisht e qetë dhe stabile.
Në pikën e tretë të rendit të ditës u diskutua lidhur me shtimin e masave të sigurisë për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës. Pas diskutimit, u mor vendim që të dilet me një apel publik për qytetarët e Komunës së Dragashit për kujdes të shtuar në trajtimin e zjarreve gjatë sezonit të verës.
Në pikën e katërt të rendit të ditës, KKSB-ja unanimisht vendosi që edhe këtë vit të funksionalizohet rruga njëkahore (Unaza e Qytetit) gjatë periudhës së fluksit të mërgimtarëve, pasi që vitet e kaluara kjo praktikë ka rezultuar me sukses në lehtësimin e qarkullimit të veturave.
Funksionalizimi i Unazës së Qytetit do të bëhet nga data 20.07.2026 deri më 16.08.2026. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe do të merret edhe vendimi për shfrytëzimin e oborreve të shkollave si parkingje pa pagesë.
Në pikën e pestë raportoi drejtori i DKA-së, z.Zeni Krasniqi, i cili prezantoi një pasqyrë të aktviteteve të DKA-së dhe mbarëvajtjen e sigurisë nëpër institucionet arsimore të Komunës së Dragashit.
Në pikën eventuale u diskutuan çështje që lidhen me sigurinë dhe probleme të tjera që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve, siç janë ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike nëpër shumë vendbanime të Komunës së Dragashit.