Në ambientet e Shkollës Fillore të fshatit Restelicë, sot u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të një donacioni të rëndësishëm nga KFOR-i turk dhe CIMIC-u, me qëllim të përmirësimit të kushteve mësimore dhe infrastrukturës shkollore.
Në këtë ceremoni mori pjesë nënkryetari i Komunës së Dragashit, z. Vetim Ramadani, i cili në emër të kryetarit të Komunës, z. Bexhet Xheladini, shprehu falënderim dhe mirënjohje për këtë mbështetje.
Donacioni përfshin: një televizor panel 65 inç, dy kompjuterë, një printer, një përforcues, një sistem digjital të ziles si dhe montazhin e tyre. Këto pajisje do të kontribuojnë drejtpërdrejt në modernizimin e procesit mësimor dhe në krijimin e një ambienti më funksional për nxënësit dhe stafin arsimor.
Komuna e Dragashit shpreh mirënjohjen e saj të sinqertë ndaj KFOR-it turk dhe CIMIC-ut për këtë donacion dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të këtij partneriteti në të ardhmen, në dobi të arsimimit të brezave të rinj.