Në kuadër të Agjendës për shënimin e Epopesë së UÇK-së, sot Kuvendi i Komunës së Dragashit mbajti seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues nga ekzekutivi dhe legjislativi lokal, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të OVL të UÇK-së, përfaqësues nga institucionet arsimore, fetare, politike dhe të sigurisë.
Në fjalën e tij, kryesuesi i Kuvendit, z.Resul Fetahu, ka uruar të gjithë të pranishmit dhe qytetarët me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, duke thënë se, falë gjakut të derdhur nga Familja Jashari dhe dëshmorët tanë, ne sot jetojmë në një vend të lirë, me institucionet tona dhe me të drejtën tonë për ta ndërtuar të ardhmen me dinjitet. Ai ka shtuar se kjo seancë nuk është vetëm një akt përkujtimi, por një thirrje për reflektim për të punuar me përgjegjësi e ndershmëri për zhvillimin e vendit tonë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, uroi të gjithë të qytetarët me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së dhe tha se kjo ngjarje na kujton heroizmin dhe sakrificën sublime të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes së tij, të cilët u bënë simbol i qëndresës, lirisë dhe dinjitetit tonë kombëtar. Kryetari Xheladini ka shtuar se sakrificën e Famijes Jashari dhe amanetin e dëshmorëve tanë nuk duhet ta ruajmë vetëm si kujtesë historike, por të punojmë me përkushtim që të forcojmë institucionet, të thellojmë demokracinë, të ruajmë rendin e ligjin dhe të punojmë me ndershmëri për zhvillimin ekonomik e social të vendit tonë.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe nënkryetari i Komunës nga radhët e komuniteteve, z.Fejsal Halilović, dhe sekretari i OVL të UÇK-së, z.Salih Shala.
Ditën e nesërme, duke filluar nga ora 10:00, do të bëhen homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe.