Ekipi për të Drejtat e Fëmijës i Komunës së Dragashit, nën kryesimin e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, njëherit edhe kryetar i ekipit, mbajti takimin e parë për vitin 2024, ku u diskutua realizimi i Planit të Përbashkët të Punës 2022-2023 në mes të Komunës së Dragashit dhe UNICEF-it, si dhe prioritetet për vitin 2024. Gjithashtu, u bë rishikimi i zbatimit të Planit të Punës të EDF-së për trejmujorin e parë të vitit 2024. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Zyra e UNICEF-it në Prishtinë.
Në hapjen e takimit, Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, e në veçanti partnerët nga UNICEF-i për mbështetjen e Komunës së Dragashit në avancimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve. Ai tha se të dy palët kanë realizuar me sukses detyrat dhe obligimet që dalin nga Plani i Përbashkët i Punës, duke u shprehur i bindur se ky bashkëpunim i frytshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Prezantimin e aktiviteteve, ecurisë së realizimit të planeve të punës dhe prioriteteve për vitin 2024 e bëri koordinatori i Zyrës së UNICEF-it për Dragash, z.Agon Baxhaku.