Sot Komunën e Dragashit e vizitoi ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, z.Sabri Tunç Angılı, i cili u prit nga kryetari i komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me zyrtarë të tjerë të ekzekutivit lokal.
Kryetari Xheladini e falënderoi ambasadorin e ri turk për vizitën e tij të parë në komunën tonë, duke i dëshiruar suksese në detyrën e re. Ai shprehu respektin dhe mirënjohjen e thellë për shtetin mik të Turqisë si aleat i ngushtë i Kosovës dhe theksoi raportet miqësore që ekzistojnë në mes të popullit shqiptar dhe atij turk.
Gjatë takimit Kryetari Xheladini i prezantoi ambasadorit turk një historik të shkurtër të Komunës së Dragashit, si dhe e informoi për sfidat me të cilat po ballafaqohemi si komunë në realizimin e shumë projekteve kapitale, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe ndihmë financiare nga shtete të fuqishme ekonomikisht si Turqia.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, z.Sabri Tunç Angılı, tha se Kosova është shumë e rëndësishme për Turqinë në të gjitha aspektet dhe shprehu interesimin e tij për thellimin e bashkëpunimit me Komunën e Dragashit.