Sot, me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, në Komunën e Dragashit zhvilluam një Akademi solemne dhe bëmë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve, duke nderuar me përulësi sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të vendit tonë.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë, kujtuam ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Vepra e tyre mbetet udhërrëfyes i përhershëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
E veçanta e këtij viti ishte parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpër qytezën e Dragashit, pasardhëse e denjë e UÇK-së dhe simbol i krenarisë shtetërore. Ky moment i dha një dimension të veçantë kësaj dite, duke forcuar ndjenjën e respektit dhe besimit në institucionet tona të sigurisë.
——
Fjalimi im i plotë me rastin e Akademisë solemne:
“Të nderuara familje të dëshmorëve,
I nderuar kryetar i OVL të UÇK-së, z.Emri Neshati
Të nderuar përfaqësues të Shoqatës së Invalidëve të Luftës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve Lokale,
Të nderuar ish-kryetar të Komunës, asambleistë, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, përfaqësuas të Këshillave të Bashkësisë islame, përfaqësues të partive politike, drejtorë të shkollave, përfaqësues të shoqërisë civile,
Të dashur qytetarë të Komunës së Dragashit,
Të nderuar të pranishëm dhe ju media,
Sot jemi mbledhur me ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohjeje për të përkujtuar 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve të Luftës për Çlirimin e Kosovës. Kjo është një ditë që na bashkon të gjithëve, një ditë reflektimi, kujtese dhe krenarie për sakrificën më të lartë që bijtë dhe bijat më të mira të vendit tonë dhënë për lirinë që gëzojmë sot.
Dëshmorët e kombit janë themeli mbi të cilin është ndërtuar liria dhe shteti ynë. Ata nuk kursyen asgjë, as jetën e tyre, që ne sot të jetojmë të lirë, me dinjitet dhe me të drejtën për të ndërtuar të ardhmen tonë. Emrat e tyre janë të skalitur përgjithmonë në historinë tonë dhe në ndërgjegjen tonë kolektive.
Në këtë ditë të shenjtë, kujtojmë edhe sakrificën e jashtëzakonshme të familjes së Adem Jashari, e cila u bë simbol i qëndresës dhe i flijimit për liri. Sakrifica e tyre është një nga dëshmitë më të fuqishme se liria jonë është fituar me gjakun e më të mirëve të këtij vendi.
Sot, mbi të gjitha, ne përulemi me respekt të thellë para familjeve të dëshmorëve. Ju jeni qëndresa dhe krenaria jonë. Dhimbja juaj është dhimbja jonë, por edhe forca juaj është frymëzim për të gjithë ne që të mos harrojmë kurrë çmimin e lirisë.
Komuna jonë e Dragashit, e njohur për bashkëjetesën dhe respektin ndërmjet shqiptarëve, goranëve dhe boshnjakëve, është dëshmi se vlerat për të cilat ranë dëshmorët – liria, dinjiteti dhe bashkëjetesa – janë të gjalla dhe duhet të ruhen e forcohen çdo ditë. Është detyra jonë që këtë frymë uniteti ta kultivojmë edhe më tej, duke ndërtuar një shoqëri të drejtë, pa dallime dhe me respekt të ndërsjellë.
Sot, kur kujtojmë sakrificën e tyre, ne rikujtojmë edhe amanetin e dëshmorëve për ne të gjallët: ta ruajmë me përkushtim lirinë e fituar, të punojmë me vetëmohim dhe ndershmëri, dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.
Ky amanet për ne në Dragash merr një kuptim të veçantë. Ne kemi përgjegjësi që të punojmë për mirëqenien e çdo qytetari, për zhvillim ekonomik dhe për krijimin e mundësive që të rinjtë tanë të mos detyrohen të largohen nga vendlindja e tyre. Ta bëjmë Dragashin një vend ku rinia sheh të ardhmen e saj, ku puna dhe dinjiteti janë të mundshëm për secilin.
Ky është nderimi më i madh që mund t’u bëjmë dëshmorëve tanë: të ndërtojmë një shtet të fortë, një shoqëri të drejtë dhe një komunë të zhvilluar, ku sakrifica e tyre merr kuptim çdo ditë.
Le të jetë kjo ditë një zotim i përbashkët se nuk do të harrojmë kurrë, se do të qëndrojmë gjithmonë të bashkuar dhe se do të punojmë me përkushtim për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Nderim dhe respekt për familjet e tyre!
Ju faleminderit!”