Sot, në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), së bashku me ministren në detyrë, znj. Fitore Pacolli, nënshkruam marrëveshjen e grantit për financimin e Projektit për Banimin Social Adekuat në Komunën e Dragashit.
Komuna jonë përfiton gjithsej 1.86 milionë euro, të cilat do të investohen në:
Ndërtimin e njësive të reja të banimit social – 1.36 milionë euro;
Renovimin e shtëpive private për familjet e cenueshme – 400 mijë euro;
Rindërtimin e shtëpive private për familjet e cenueshme – 110 mijë euro.
Ky është një investim i rëndësishëm për qytetarët tanë, veçanërisht për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Përfitues të këtij programi do të jenë familjet e cenueshme të Komunës së Dragashit, përfshirë edhe pjesëtarë të komuniteteve jo-shumicë, duke garantuar trajtim të barabartë dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët tanë.
Si Kryetar i Komunës, jam i përkushtuar që çdo investim të përkthehet në përmirësim konkret të jetës së qytetarëve dhe në krijimin e kushteve më të mira, më të sigurta dhe më dinjitoze të banimit.
Dragashi është shtëpi e të gjithëve dhe zhvillimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë.Faleminderit MMPH-së për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Komunën e Dragashit.
BEXHET XHELADINI
Kryetar i Komunës së Dragashit