Në kuadër të Agjendës së aktiviteteve për shënimin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, të organizuara nën patronatin e Kryetarit Xheladini në bashkëpunim me Degën e OVL të UÇK-së në Dragash, sot në Shtëpinë e Kulturës “Abdurrahman Gërdellaj” u mbajt akademi solemne. Në këtë akademi morën pjesë përfaqësues të qeverisjes lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve të sigurisë, institucioneve arsimore e fetare, si dhe qytetarë të Komunës së Dragashit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryetari Xheladini tha se 5 Maji – Dita e Dëshmorëve është njëra nga datat historike më të rëndësishme, ku ne përkujtojmë me respekt dhe përkulje të gjithë ata që kanë dhënë më të shtrenjtën jetën e tyre për vlerat më të larta dhe sublime të lirisë dhe pavarësisë. Kryetari Xheladini tha se liria është një dhuratë që e fituam falë kontributit dhe sakrificës së dëshmorëve tanë, andaj edhe duhet ta ruajmë atë me punë dhe përgjegjësi, duke shtuar se amaneti dhe veprat e lavdishme të dëshmorëve tanë duhe të na shërbejnë si frymëzim për ta bërë vendin tonë çdo ditë e më të mirë.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetari i OVL të UÇK-së, Dega në Dragash, z.Emri Neshati, dhe një përfaqësues nga familjet e Dëshmorëve.
Pas fjalimeve pasoi një program artistik i përgatitur nga Shoqëria Kulturore Artistike “Bresana”. Aktivitetet u përmbyllën me homazhe tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, tek Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe, si dhe Pllaka përkujtimore e dëshmorit turk, Husein Kutlu.