Sot u mbajt Dëgjimi i dytë buxhetor me drejtorë të shkollave, pedagogë, punëtorë arsimorë dhe punëtorë shëndetësorë për Draftin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026 – 2028. Në këtë takim, Kryetari Xheladini dhe drejtori i Financave, z.Qamil Kolloni, prezantuan para të pranishmëve draftin e KAB-it, duke u fokusuar veçanërisht në grantet specifike të Arsimit dhe Shëndetësisë.
Pas prezantimit të KAB-it, drejtorët e shkollave dhe zëvendësdrejtoresha e QKMF-së adresuan një sërë kërkesash dhe propozimesh lidhur me investimet e nevojshme nëpër institucionet lokale arsimore dhe shëndetësore.
Kryetari Xheladini theksoi se, edhe pse janë bërë tashmë shumë investime nëpër këto institucione, shumica e kërkesave janë të arsyeshme dhe se do të shikohen mundësitë e përfshirjes së tyre gjatë planifikimit të buxhetit. Ai gjithashtu falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në planifikimin e përbashkët buxhetor.