Nën kryesimin e Kryetarit Xheladini, Shtabi Komunal i Emergjencave, i formuar për ta menaxhuar situatën e krijuar pas vërshimeve në disa fshatra të Komunës së Dragashit, mbajti sot mbledhjen e tretë të radhës. Në këtë mledhje raportuan të gjithë anëtarët përgjegjës për mbikëqyrjen e aktiviteteve për sanimin e dëmeve në fshatrat Kuk, Kosavë, Bresanë, Kuklibeg dhe Zaplluxhe, si dhe U.D. i Komandantit të Shërbimet të Zjarrfikësve. Gjithashtu, përmes telefonit raportoi edhe drejtori i IKSHPK-së në Prizren, i cili tha se IKSHPK pritet të dalë me rezultatet e analizave të ujit, për të konstatuar nëse mund të përdoret uji për pije.
Ndërkaq, Kryetari Xheladini dhe Kryesuesja Skeraj prezantuan para anëtarëve të Shtabit aktivitetet që kanë zhvilluar nëpër terren dhe masat e ndërmarra që nga dita e fillimit të vërshimeve deri më sot.
Kryetari Xheladini shprehu edhe një herë falënderimin e tij për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, banorët, kryetarët e fshatrave, aktivistët dhe vullnetarët të cilën po ofrojnë në vazhdimësi mbështetjen e tyre në tejkalimin e gjendjes së krijuar pas vërshimeve.
Gjitashtu, ai falënderoi edhe kompanitë private siç janë: BEHARI SH.P.K, ILVA, NIKI GD, PUNA SH.P.K, Luan Sadikaj, UNIVERSAL COMERC, VLLAZNIMI SH.P.K, BRRUTI ING, I.SEFERI, BESI SH.P.K, Ajdin Milazim Halimi, Lulishtja “Lirimi” etj. Këto kompani, që nga dita e fillimit të vërshimeve e deri më sot, kanë dhënë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në sanimin e dëmeve nga vërshimet, duke lënë me një anë edhe punët e tyre private, me qëllimin e vetëm për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.
Kryetari Xheladini falënderoi për ndihmën edhe shoqatat humanitare dhe bëmirëse “Bereqeti”, “Islamic Relief Kosova” dhe Fondin Emergjent “Diaspora për Kosovë dhe Maqedoni”. Gjithashtu, edhe KEDS-in, për reagimin me kohë për ta rikthyer rrjetin e dëmtuar të energjisë elektrike.
Në këtë takim u bë e ditur se Komisioni Komunal ka bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në infrastrukturë publike dhe se kërkesa me raportin e këtij Komisioni, përmes ministrit të MAPL-së, do t’i dërgohet Qeverisë dhe Zyrës së Kryeministrit.
Në fund të takimit, Kryetari Xheladini bëri thirrje për bashkëpunim dhe solidarizim me familjet e prekura nga vërshimet, duke kontribuuar secili sipas mundësisë për ta tejkaluar sa më shpejtë këtë situatë.