Me një program të pasur artistik, të përgatitur nga nxënësit dhe stafi arsimor, ShFMU “Fetah Sylejmani” në Dragash festoi sot Ditën e Shkollës. Në këtë aktivitet mori pjesë kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, nënkryetarin e Komunës, z.Resul Fetahu, dhe drejtorin e Arsimit, z.Zeni Krasniqi. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe familjarë të Dëshmorit Fetah Sylejmani, përfaqësues nga OVL e UÇK-së, përfaqësues të policisë dhe KFOR-it Turk, drejtorë të shkollave, mësimdhënës dhe nxënës të shumtë.
Mysafirë të veçantë në shënimin e Ditës së ShFMU “Fetah Sylejmani” ishin edhe përfaqësues nga kolektivi i Shkollës Nëntëvjeçare “Vasil Shanto” nga Malësia e Madhe – Shqipëri, e cila është e binjakëzuar me ShFMU “Fetah Sylejmani” në Dragash. Ata u nderuan me dhurata simbolike nga drejtori i shkollës, kryetari i Komunës dhe kryesuesja e Kuvendit.
Kryetari Xheladini, në emrin e tij dhe të të gjithë qytetarëve të Komunës së Dragashit u ka uruar të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve Ditën e Shkollës “Fetah Sylejmani”, duke e cilësuar këtë shkollë si një shtyllë të rëndësishme të arsimit e cila me vite të tëra ka dhënë kontributin e saj në nxjerrjen e shumë gjeneratave që i kanë shërbyer zhvillimit të komunitetit. Ai gjithashtu tha se kjo është e vetmja shkollë në Komunën tonë ku procesi mësimor zhvillohet edhe në gjuhën e komuniteteve joshumicë, duke u bërë shembull i respektimit të vlerave demokratike të diversitetit kulturor, gjuhësor dhe etnik, jo vetëm në Komunën e Dragashit, por në të gjithë Republikën e Kosovës.
Kryetari Xheladini theksoi se përkujtimi për Dëshmorin dhe nxënësin e dikurshëm të kësaj shkolle, Fetah Sylejmanin, e shton edhe më tepër krenarinë e kësaj dite të veçantë, duke shtuar se nderimi dhe respekti për Dëshmorin Fetah Sylejmani do të jetë i përhershëm dhe vepra e tij do të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.
Me nga një fjalë përshëndetëse për Ditën e Shkollës, të pranishmëve u drejtuan edhe drejtori i Arsimit, z.Zeni Krasniqi, drejtori i ShFMU “Fetah Sylejmani”, z.Flurim Çengaj, familjari i Dëshmorit Fetah Sylejmani dhe drejtoresha e Shkollës Nëntëvjeçare “Vasil Shanto” nga Malësia e Madhe, znj.Vitore Shqarri. Aktivitetet për shënimin e kësaj dite vazhduan me një koktej rasti në ambientet e ShFMU “Fetah Sylejmani” në Dragash.
Pas përfundimit të aktiviteteve për Ditën e Shkollës, delegacioni nga Shkolla Nëntëvjeçare “Vasil Shanto” e Malësisë së Madhe vizitioi Komunën e Dragashit, me ç’rast nga Kryetari Xheladini dhe Kryesuesja Skeraj u informuan me një pasqyrë të shkurtër të organizimit dhe funksionimit politik e administrativ të Komunës dhe Kuvendit. Drejtoresha e kësaj shkolle, znj.Vitore Shqarri, u nderua edhe me një dhuratë simbolike nga Këndi i Kurajos.