Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, Qeveria Komunale mbajti dje Mbledhjen XIII të rregullt për vitin 2024, ku u trajtuan keto pika të rendit të ditës:
1.Formimi i Grupit Punues për hartimin e Planit Lokal të Veprimit në Mjedis;
2.Shqyrtimi i Draftmemorandumit të Bashkëpunimit me Telekomin e Kosovës;
3.Zbatimi i Strategjisë për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit;
4.Obligimet e Komunës nga Plani Gjithëpërfshirës i Agjendës Evropiane;
5.Raporti i punës së drejtorëve komunalë – versioni i shkurtuar;
6.Njoftim për aplikimin në Programin Ndërkufitar IPA;
7.Shprehja e interesit për Programin qeveritar të Banimit Social;
8.Të ndyshme.
Në vend të Draftplanit të Veprimit për Mjedis, me propozim të anëtarëve të Bordit, në pikën e parë të rendit të ditës u diskutua fillimisht për nisjen e procedurave për hartimin Planin Zhvillimor Komunal. Në këtë mbledhje u mor vendim që të hapet tender dyvjeçar për hartimin e PZhK-së.
Sa i përket pikës së dytë, Qeveria Komunale mori vendim që Komuna e Dragashit, përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Bashkëpunimit me Telekomin e Kosovës, të japë pëlqimin e saj dhe të mos e pengojë këtë kompani për shtrirjen e kabllove optike nëpër pronat publike, duke e konsideruar investimin e Telekomin me interes për qytetarët tanë.
Në pikën e tretë të rendit të ditës, u vendos që drejtoritë përkatëse të ofrojnë çdo informacion që kanë në dispozicion për ndonjë aktivitet që kanë ndërmarrë institucionet lokale sa u përket luftimit dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, me qëllim të plotësimit të pyetësorëve të dërguar nga hulumtuesit e këtyre fenomeneve.
Në pikën e katërt, u obliguan të gjitha drejtoritë që deri në fund të kësaj jave të ofrojnë të gjitha të dhënat e kërkuara në Raportin e përmbushjes së obligimeve për Agjendën Evropiane për periudhën janar-dhjetor 2024.
Në pikën e pestë të rendit të ditës, u diskutua rreth përgatitjeve të përbashkëta në hartimin e raportit për gjashtëmujorin e dytë të punës së kryetarit dhe ekzekutivit lokal, i cili do të prezantohet nga kryetari i Komunës në Takimin e dytë publik me qytetarë që do të mbahet më 26.12.2024.
Në pikën e gjashtë u dhanë informacione lidhur me modalitetet dhe ecurinë e bashkëpunimit me Komunën e Studeniçanit, gjatë procesit të aplikimit të përbashkët në Programin ndërkufitar IPA.
Në pikën e shtatë të rendit të ditës, anëtarët e Bordit u njoftuan nga kryetari i Komunës për shprehjen e interesit që Komuna e Dragashit ka bërë zyrtarisht lidhur me zbatimin e Programit qeveritar për Banimin Social.
Ndërkaq, në pikën eventuale Qeveria Komunale diskutoi për disa çështje të brendshme organizative.