Nën organizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Institutit për Planifikim Hapësinor, sot në Dragash u mbajt takim publik lidhur me shqyrtimin e Draftplanit Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri dhe Draftraportit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Planin Hapësinor në Parkun Kombëtar Sharri.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, shefi i Zyrës për Komunitete, z.Uzair Hamza, i cili njëherit është edhe pjesë e Grupit Punues Ndërministror për hartimin e këtyre dokumenteve, si dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Kryetari Xheladini ka falënderuar organizatorët për këtë takim dhe bashkëpunimin e deritashëm me Komunën e Dragashit, gjatë hartimit të këtyre dokumenteve të rëndësishme për Parkun Kombëtar të Sharrit, ku janë përfshirë edhe shumë kërkesa të adresuara nga ana e Komunës dhe qytetarëve tanë. Për këto kërkesa të cilat janë dërguar edhe zyrtarisht në adresë të Institutit për Planifikim Hapësinor dhe Grupit Punues të Drafplanit Hapësinor, paraprakisht janë mbajtur takime të Bordit të Drejtorëve të qeverisjes lokale në Dragash, nën kryesimin e Kryetarit Xheladini, ku janë shqyrtuar dhe adresuar nevojat e qytetarëve dhe interesat e Komunës sa i përket rregullimit të zonave brenda Parkut Kombëtar Sharri.
Në këtë takim u kërkua që edhe shumë kërkesa të tjera të përfshihen në Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri.
Gjithashtu, Kryetari Xheladini ka ritheksuar nevojën që në Dragash të themelohet një zyrë në kuadër të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri, për shkak të specifikave dhe hapësirës së madhe të territorit të Komunës sonë të shpallur si park nacional.
Konsultimi publik për draftplanet për Parkun Kombëtar Sharri mbetet ende i hapur dhe të gjithë ata që janë të interesuar për përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe dërgimin e komenteve dhe sugjerimeve të tyre, mund të drejtohen në adresë të MMPHI-së dhe Institutit për Planifikim Hapësinor.